Studenti Uran Qarolli nga Gjilani nga e marta është i shtrirë në Klinikën e Syve në QKUK.
Megjithëse thotë se nuk kishte dalë për të protestuar, ai ishte në mesin e atyre që pësuan nga plumbat e gomës, që Policia i përdori në tentimin për të shpërndarë masat. Lëndimi i Uranit është më serioz: ai mund ta humbas shikimin e syrit të majtë, raporton KTV.
Qarolli ka thënë se prioritet e ka shërimin, derisa nuk hedh poshtë mundësinë që të ndjekë rrugë ligjore për të kërkuar dëmshpërblim për lëndimin e tij.
Nga një goditje e fortë, pa shikimin në njërin sy rrezikon të mbetet edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Ai është Besart Ahmeti, Shef i Njësisë Speciale Operative në Prishtinë, që të shtunën do të dërgohet për në Turqi, derisa për të bërë këtë të mundshme janë mobilizuar një sërë institucionesh, transmeton Koha.net.