Sot po mbahen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kandidatë janë republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton. Por, përveç votuesve të ShBA-së, preferencat se kush të jetë president, i kanë edhe udhëheqësit e Kosovës.
Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se personalisht pret që të fitojë Clinton, ndonëse i respekton pozicionet.
“Zgjedhjet janë një shembull i mirë edhe për neve se si zhvillohet debati transparent. Shpresoj që do të fitoj më i mirë. Personalisht pres që të fitojë Hillary por sidoqoftë, qytetarët e Amerikës e zgjedhin”, është shprehur ai.
Sipas Haradinajt, respekti i shqiptarëve për familjen Clinton është i arsyeshëm për shkak të së kaluarës, kur Bill Clinton ishte njëri nga njerëzit kryesor që i priu aleancës së NATO-s në luftën kundër Millosheviqit.
“Shqiptarët e kanë me arsyje respektin e madh për Hillaryn për shkak të kaluarës së afërm që Bill Clinton ishte njëri nga njerëzit kryesorë që i priu aleancës NATO në luftën kundër Millosheviqit. Ne përjetësisht i jemi mirënjohës dhe jemi miq të përjetshëm të tyre”, është shprehur ai në një prononcim për “Indeksonline.
Haradinaj ka thënë se ndonëse Kosova i ka borgj familjes Clinton, ekziston respekti edhe për kandidatin Trump. Ndërsa, deklaratat e Trumpit për refugjatët, Haradinaj i konsideron si terme elektorale. Sipas tij, ShBA-ja ka interes që ta ndihmojë Ballkanin në rrugën perëndimore, pa marrë parasysh kush i prin vendit.
“Dorën në zemër, ne i kemi borgj edhe Hillaryt edhe familjes Clinton, nëse do të ishte një fitore e Hillaryt do të ishte mirë edhe për Kosovën, pa e përjashtuar që kemi respekt edhe për kandidatin republikan, Donald Trump. Sepse natyrisht që nuk është rastësisht kandidat presidencial për Amerikën. Ne e respektojmë pozicionet. Dëshirë e imja personale është që Hillary nesër të jetë presidente e Amerikës. Ato janë terma elektorale, Qeveria e ShBA-së jam i sigurt që i ka interesat që ta ndihmojë Ballkanin në rrugën perëndimore pavarësisht kush do të fitojë”, ka thënë tutje ai për “Indeksonline”.
Ndryshe, zgjedhjet e sotme pritet të jenë mjaft interesante krahasuar nga ato paraprake për shkak të garës së “nxehtë” që kanë zhvilluar deri më tani Clinton e Trump./Indeksonline/
No comments:
Post a Comment