Wednesday, May 13, 2015

Kim Mehmeti - “Filloi ikja e minjve nga anija e regjimit DPMNE-BDI



“Filloi ikja e minjve nga anija e regjimit DPMNE-BDI që është duke u fundosur! Të parët që atë e braktisën janë kryesorët që burgosën e vranë shqiptarë të pafajshëm! Por ata nuk e braktisën atë pse ishin të tillë, as pse këtë e kishin kërkuar ndonjëherë mbështetësit e tyre shqiptarë nga radhët e BDI-së e PDSH-së, por duhej të largoheshin pse kësaj radhe nuk ia dolën ta mbulonin siç duhet gjakun e shqiptarëve dhe policëve të pafajshëm, të cilëve dikush ua kurdisi lojën në Kumanovë, si dhe flakën që dogji shtëpitë e kumanovarëve! Dhe përderisa vazhdon fundosja e këtij regjimi, ne shqiptarët nuk duhet të harrojmë se këtë regjim kriminelësh, e mbajtën në këmbë edhe kryekriminelët e BDI-së dhe PDSH-së! Pra kurrë nuk duhet të harrojmë se ‘Sopoti’, ‘Brodeci’, ‘Monstra’, likuidimi i Harun Aliut me shokët, deshqiptarizimi i Shkupit dhe i Maqedonisë..., kurrë nuk do ndodhnin nëse ky regjim nuk do kishte mbështetjen e BDI-së dhe PDSH-së! Gjithashtu kurrë nuk duhet harruar se këta kryekriminelët e BDI-së dhe PDSH-së, nuk do mund të bëheshin as loparë fshati, po të mos ishin të maskuar me pendlat e rrejshme patriotike e atdhetare, se ata nuk do mund të bëheshin as drejtues të kooperativave bujqësore, po të mos e gënjenin popullin me kinse përkrahjen që kanë nga ‘miqtë perëndimorë” dhe po të mos kishin mbrapa vetes mbështetjen e vërtetë të disa fëlliqësirave politiket të Tiranës e Prishtinës zyrtare! Mos harroni pra kurrë as të vërtetën se gjitha këto tragjedi na ndodhën duke pasur Avokatin e Popullit shqiptarë, për të cilin kurrë nuk u murr vesh se a i shërbente popullit, apo djajve të këtij regjimi!? Njësoj siç nuk duhet harruar as mëkatin dhe turpin tonë kolektiv, pra as të vërtetën se neve na ndodhnin “Sopotat’, ‘Brodecët’, ‘Monstrat’, likuidimet, burgosjet dhe dëbimet e dhjetëra figurave emblematike të UÇK-së, ‘Shkupi 2014’... e ne vazhdonim t’u duartrokasim e t’i votonim ‘Rrahman Morinat’ tanë, të cilët as nuk e fshihnin se punëdhënës e shok për kokë e kishin drejtorin e policisë sekrete maqedonase, gjë që shpaloste mendësinë tonë dominuese politike, mendësi të mbetur aty ku ishte gjatë viteve socialiste, gjatë kohëve kur më shumë e çmonim cubin e fshatit të miqësuar me inspektorët policorë, se sa akademikun apo profesorin! Anija e regjimit antishqiptarë me një parti shqiptare në të – pra ajo e regjimit DPMNE-BDI, ka filluar të fundoset, por nuk duhet lejuar që së bashku me të, të mbytet edhe guximi ynë për të kërkuar përgjegjësi nga kryesuesit e BDI-së e të PDSH-së, nga ata që ishin dorë e zgjatur e regjimit, dorë që na mbante për fyti neve shqiptarëve të këtushëm, dorë po aq e përgjakur e mëkatare, sa ajo e këtij regjimi që vrau e burgosi shqiptarë të pafajshëm!”

No comments:

Post a Comment