Tuesday, February 24, 2015

Edhe gjykatat paralajmërojnë grevë për rritjen e pagave



Gjyqtarët e Gjykatave Themelore në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe Gjakovë, paralajmërojnë se nëse nuk realizohet kërkesa e datës 28.01.2015, për rritjen e pagave prej 25%, ose kërkesa për realizimin e shtesës prej 200 euro, nga data 03.03.2015, do të hyjnë në grevë.
Gjyqtarët e këtyre gjykatave, më kërkesën e datës së sipërpërmendur, i janë drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësore të Kosovës, me kërkesë për rritje të pagave prej 25% apo realizimin e shtesës në shumën e premtuar prej 200 euro.
“Deri të kërkesa për rritje të pagave ose realizimi i shtesës ka ardhur për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës, me vendimin e datës 10.03.2014, numër 01/176, ka vendosur për rritjen e pagave për 25 % për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin pagë nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe atë duke e llogaritur nga data 01.04.2014, ndërsa me vendimin tjetër të datës 14.03.2014, numër 03/177, ka vendosur të ndryshojë vendimin paraprak të datës 10.03.2014, numër 01/176, ku ndër të tjera, me këtë vendim është paraparë që: “Vendimi për rritjen e pagave nuk përfshin pozitat e zyrtarëve publikë paga e të cilëve me ligj është e rregulluar duke u bazuar në nivelin e pagës së Kryeministrit, Ministrave si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë politikë të përjashtuar nga rritja përmes këtij vendimi”, thuhet në njoftimin për media të Gjykatave të Kosovës.
Gjyqtarët thonë se ky ndryshim i vendimit për rritjen e pagave nga ana e Qeverisë është në kundërshtim më Ligjin për Gjykata, Nr.03/L-199, përkatësisht nenin 29 par. 2, me të cilin është parapa që: “Paga e një gjyqtari nuk mund të zvogëlohet gjatë mandatit në të cilin gjyqtari është emëruar...”.
Në muajin maj të vitit 2014, përmes Shoqatës së Gjyqtarëve vendimi në fjalë është kundërshtuar dhe asokohe ishte paralajmëruar edhe greva. Mirëpo, meqenëse në momentin e fundit, në mes të Ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Këshillit Gjyqësor, ishte arritur marrëveshja që gjyqtarët të realizojnë një shtesë mujore prej 200 €, kjo grevë ishte evituar.
“Megjithatë, për fat të keq shtesa në fjalë në lartësi prej 200€, nuk është përmbushur asnjëherë nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thonë gjyqtarët.
Përmes këtij njoftimi, gjyqtarët e gjykatave të sipërpërmendura dëshirojnë që gjithashtu të sqarojnë edhe nivelin e pagave të tyre, sepse thonë se në opinionin publik është krijuar përshtypja shumë e gabuar se gjyqtarët marrin paga të nivelit të ministrave.
“90 % e të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Kosovës marrin pagën neto në shumën prej 804 – 883 €, duke mos përfituar asnjë benificion të vetëm, të cilat i realizojnë ministrat apo bartësit e tjerë të funksioneve të larta shtetërore. Do të ishte e rrugës që njëherë e përgjithmonë të sqarohet ky fakt, në mënyrë që edhe perceptimi i publikut në lidhje me këtë çështje, të jetë i drejtë”, thuhet në njoftim.
Ata thonë se Gjyqësori vazhdimisht kritikohet, kërkohet përgjegjësi dhe angazhim edhe përtej mundësive reale që i ka, ndërsa në anën tjetër asgjë nuk punohet për ta përmirësuar pozitën e gjyqtareve, e cila pozitë, sipas tyre, vazhdimisht ka shkuar duke u keqësuar.
“Kujtojmë së rritja e fundit e pagave për gjyqtaret ka ndodhur në janar të vitit 2011. Që nga kjo kohë dhe në kundërshtim me Ligjin për Gjykatat, rrogat e gjyqtarëve janë zbritur dy herë”, theksojnë ata në këtë njoftim.
“Rritja e pagave për gjyqësorin është imperativ i kohës pasi që në radhë të parë do të tregonte së nga kjo shoqëri është kuptuar roli dhe rëndësia e pushtetit të pavarur gjyqësor në një shoqëri demokratike, e cila mëton të integrohet në strukturat euro-atlantike. Rritja e pagave për gjyqtarë, përveç që do të ndikonte në zvogëlimin e pabarazisë së madhe të pushtetit gjyqësor në krahasim me pushtetet e tjera, do të ndikonte drejtpërdrejtë edhe në efikasitetin dhe rritjen e cilësisë së punës së gjykatave tona. Për më tepër, rritja e pagave do të ndikonte që sistemi gjyqësor të jetë i pavarur, i paanshëm, transparent, profesional dhe etik. Mbi të gjitha, rritja e pagave do të ndikonte edhe në ruajtjen e kuadrove profesionale që ka sistemi gjyqësor (të cilët janë duke ikur nga sistemi gjyqësor), në rritjen e interesimit të kuadrove të reja dhe rrjedhimisht në forcimin e mëtutjeshëm të sistemit gjyqësor, si i pavarur dhe i paanshëm”, theksohet më tej në këtë njoftim.
Gjyqtarët e Gjykatave Themelore në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe Gjakovë konsiderojnë se kjo kërkesë e gjyqtarëve të Gjykatave Themelore, është në harmoni të plotë me Kartën Evropiane mbi Statutin për Gjyqtarët, e miratuar nga Këshilli i Evropës Nr. DAJ/DOC(98)23, në Strasburg në muajin korrik të vitit 1998, më saktësisht nenin 6 të saj, pjesë e së cilës pretendojmë të jemi, por edhe me shumë dokumentet tjera ndërkombëtare që i referohen sferës së gjyqësisë.
“Andaj, paralajmërojmë se në qoftë se nuk pranohet kërkesa e lartcekur e gjyqtarëve, nga data 03.03.2015, Gjykatat Themelore me Departamentet e tyre përkatëse, do të jenë në grevë, me ç’rast gjatë kohës sa zgjatë greva do të shqyrtohen vetëm rastet urgjente (paraburgimet, rastet e dhunës në familje dhe rastet tjera që vlerësohen si urgjente nga ana e gjykatave).

No comments:

Post a Comment