Grupi i LDK-së në Kuvendin e kryeqytetit konsideron se Shpend Ahmeti dhe VV e Prishtinës po i humbin betejat politike.
“Ende s’e kanë kuptuar mirë që në demokraci vlen parimi i shumicës. Duke i shkelur ligjet e arsimit, Shpend Ahmeti dhe VV dështuan me ndërprerjen e mësimit në shkurt të vitit 2014, duke u vonuar deri në katër muaj mosemërimi, dështuan me drejtorë ekzekutivë të komunës, duke e ndërruar objektin e kontratës për furnizim me naftë, shkelën ligjin, keqpërdorën dhe dështuan me naftën në shkolla duke e keqpërdorur pozitën zyrtare të kryetarit të komunës”, thuhet në komunikatën e këtij grupi.
LDK e Prishtinës thotë se Shpend Ahmeti dhe VV dështuan me kiflet e mykura nëpër shkolla, dështuan me dollapët nga të cilët u lënduan shumë nxënës filloristë.
“Shpend Ahmeti dhe VV dështuan me punësimin në komunë. Sollën militantë nëpër zyre në pozita të dyshimta spiunazhi, duke e politizuar dhe monopolizuar me veprime antiligjiore, sollën militantë politikë në sallën e Kuvendit për të sulmuar anëtarët e Kuvendit, dështuan me ndërmarrjet publike, sepse e shkelën ligjin në shkarkime dhe në emërime”, thotë në këtë komunikatë LDK-ja.
“Shpendi me shokë të VV dështoi duke marrë pjesë në protesta të dhunshme në kryeqytet. Së fundmi deshtën ta rrëzojnë një ndërmarrje publike, po nuk i la shteti. Shpendi ia ka mësyrë ta bëjë kryeqytetin shtet, kurse shtetin ta bëjë qytet! Shpendi i ‘ka hipur prej bishti demokracisë’ në kryeqytet e po e sulmon shtetin. Vetëm dorëheqja do ta shpëtojë nga kompromitimi i plotë. E ftojmë të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Komunës, sepse më asnjë punë nuk i besohet dhe asnjë veprim nuk ia mbulon dështimet e tij gjatë gjithë vitit 2014. Fatkeqësisht me dështime e ka nisur edhe vitin 2015”.
No comments:
Post a Comment