Në kuadër të vizitës në Kosovë, kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, ka takuar sot edhe përfaqësues të opozitës: Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Donika Kadaj-Bujupi, kryetare e Grupit Parlamentar të AAK-së .
Në takimin, i cili është mbajtur në zyrat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kreun e legjislativit suedez e kanë shoqëruar deputetët në Parlamentin e Suedisë:Adnan Dibrani dhe Andreas Norlén, si dhe ambasadori suedez në Maqedoni Mats Staffansson e ai në Kosovë, .Henrik Nilsen.
Kurti e njoftoi Ahlin, për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për gjendjen socio-ekonomike, dhe për çështjen e emigrimit të qindra-mijëra qytetarëve të Kosovës. “Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë, papunësia gjithnjë në rritje dhe Mitrovica përherë e ndarë po e testojnë mbijetesën e shtetit të Kosovës”, tha Kurti.
Ndërkaq Kadaj-Bujupi, theksoi që pakënaqësia në Kosovë është akumuluar me vite për shkak të padrejtësive të shumta dhe mungesës së zhvillimit. “Kur kësaj pakënaqësie iu shtua edhe zhgënjimi i madh për faktin që Mustafa iu bashkua Thaçit, rezultoi ikja masive e qytetarëve”, shtoi ajo.
Në këtë takim është diskutuar edhe për shumë çështje të tjera, si: EULEX-in, korrupsionin, Gjykatën Speciale, bisedimet me Serbinë, ndikimet ndërkombëtare në politikën kosovare etj.
No comments:
Post a Comment