Asnjë njehsor elektrik që është vendosur me defekt nga KEDS-i, nuk do të ndërrohet pa pasur një vendim të organeve hetuese dhe të drejtësisë. Hetimet nuk dihet kur do të përfundojnë, por kryeprokurori Ymer Beka, ka thënë se janë në rrugë të mirë për t’i përmbyllur hetimet.
“Rasti i njehsorëve është duke u hetuar më shumë se gjashtë muaj. Hetimet kanë marrë një dinamikë të mirë. Në hetime nuk është vetëm Agjencia e Metrologjisë, por ka një shtrirje me të gjerë. Për shkak të hetimeve nuk mund të flas më shumë për këtë rast”, tha Ymer Beka, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk pranon ta komentojë problemin me njehsorët e KEDS-it, raporton RTK.
“Çështja e njehsorëve digjitalë është në prokurori. Nga informatat që kemi nga Prokuroria, rasti është në dinamikën më të madhe të punës, kështu që ne si MTI nuk mund të prononcohemi, sepse nuk dëshirojmë të ndikojmë në hetime. Ne jemi të përkushtuar që t’i ndihmojmë prokurorisë ta zbardhë sa më shpejt këtë çështje”, tha Vjollca Dibra, këshilltare e Ministres së Tregtisë dhe Industrisë.
E, zyrtarët e KEDS-it thonë se nuk ka vend për panik. I pyetur se kush do t’i mbulojë shpenzimet nëse vërtetohet se njehsorët kanë regjistruar gabimisht, Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it, tha se për këtë kanë garanci nga prodhuesit e njehsorëve.
Por, për problemin me njehsorët e KEDS-it nuk ka qëndruar indiferent as ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se KEDS-i nuk mund t’i neglizhojë vendimet e institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës, siç ishte konstatimi MTI-së se njehsorët e energjisë nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara.
Sipas tij, zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje duhet të reflektojnë me shumë seriozitet lidhur me këtë konstatim të institucioneve. Por, në KEDS thonë se në vitin 2013 kanë qenë ata, që e kanë njoftuar MTI-në për defektet, por që sipas tyre, zyrtarët e MTI-së e kanë neglizhuar zgjidhjen e këtij problemi.
No comments:
Post a Comment