Thursday, February 26, 2015

Akuzat kundër gjeneralit famëkeq serb, i ngriti EULEX-i

Akuzat kundër gjeneralit famëkeq serb, i ngriti EULEX-i

Akuzat kundër deputetit të partisë së Tomisllav Nikolliqit (SNS), njëkohësisht gjeneralit famëkeq serb Momir Stojanoviq, i ka ngritur EULEX-i.

E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i hetimeve të këtij misioni evropian rreth mizorive të kryera të forcave serbe në fshatrat Mejë dhe Orize, si dhe në Rekën e Keqe të Komunës së Gjakovës, tha sot zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi.
"Urdhër-arresti është lëshuar nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të EULEX-it në Kosovë, ndërsa kjo i është dorëzuar Interpolit përmes UNMIK-ut", tha Domi për agjencinë e lajmeve serbe Beta, transmeton Telegrafi.
Deklarata e EULEX-it, më 24 prill 2013, tregon se prokurorët e EULEX-it nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë nisur një hetim për krimet e kryera në komunën e Gjakovës më 27 dhe 28 prill 1999, që përfshijnë Mejën, Orizen dhe fshatrat tjera në Rekën e Keqe.
Prokurorët kanë identifikuar deri më tani njëzet të dyshuar, të cilët mund të jenë subjekt i aktakuzës për krime lufte kundër civilëve, përfshirë vrasjet e 372 shqiptarëve, torturimet ose trajtimet çnjerëzore, vuajtjet e mëdha, dëbimet, grabitjet e pronave... Tërë këto krime serbe janë bërë me ndihmën e forcave ushtarake.
Shumica e viktimave janë gjetur në varrin masiv në Batajnicë, thuhet në deklaratën e EULEX-it.
Masakra në Mejë dhe rreth saj, konsiderohet si më e madhja gjatë luftës së vitit 1999, thuhej po ashtu në deklaratën e EULEX-it.
Kryetari i Komisionit të Parlamentit të Serbisë për Siguri, ish gjenerali i Ushtrisë jugosllave Momir Stojanoviq, përkatësisht zëvendës i Partisë Progresive Serbe të kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq, ditë më parë pohoi se urdhër-arresti i Interpolit kundër tij dhe 16 qytetarëve serbë të Gjakovës për krime të luftës, është presioni politik dhe justifikim për themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës.

No comments:

Post a Comment