Thursday, February 26, 2015

Qeriqi: Duan t’i bëjnë veteranë, ata që nuk ishin pjesë e UÇK-së

Qeriqi: Duan t’i bëjnë veteranë, ata që nuk ishin pjesë e UÇK-së

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka akuzuar Komisionin Qeveritar për verifikimin e listave të UÇK-së se qëllimisht po e zvarritë procesin e publikimit të listave.
Sipas tij, kjo zvarritje po ndodh për shkak se anëtarët e këtij Komisioni nuk po arrijnë t’i sistemojnë brenda listave njerëzit e tyre të cilët nuk kanë qenë fare në luftë.
“Kryetari i Komisionit, Agim Çeku në një konferencë për media pati thënë se deri me datën 20 shkurt do të publikohen të gjitha listat, por si duket tani nuk po mund t’i rehatojë disa njerëz brenda këtyre listave të cilët nuk kanë qenë fare në luftë”, ka thënë Qeriqi për Gazetën Tribuna.
Ai ka fajësuar Komisionin për verifikim jo të saktë të veteranëve të UÇK-së.
“Për të gjitha lëshime që janë bërë në Zonat që deri me tani janë publikuar listat e veteranëve, përgjegjës është Komisioni, sepse nëse janë bërë këto lëshime, ato janë bërë nga Komisioni, i cili ose duhet të reagoj shpejt që këto lista të përmirësohen ose duhet ta marrë përgjegjësin”, është shprehur Qeriqi.
Ai është zotuar se nëse Komisioni deri në javën e ardhshme nuk i publikon të gjitha listat, atëherë veteranët e luftës do të dalin në rrugë për të protestuar.
“Besimi në Komisioni ka humbur dhe detyrimisht po na imponohet që të dalim në rrugë. Nuk do të presim afate të tjera shtesë dhe kur të dalim në protestë asnjë përgjegjësi nuk do ta marrim për atë se çfarë mund të ndodh. E gjithë përgjegjësia do të bie tek Komisioni, i cili për më tepër se dy vite nuk po arrin ta përfundoj këtë proces”, ka thënë Qeriqi.
Komisioni Qeveritar ka anuluar publikimi i listave, pasi veteranë të Zonës së Llapit dhe Karadakut janë ndarë të pakënaqur me publikimin e tyre, duke akuzuar anëtarët e Komisionit për fryrje të listave si dhe futjen e njerëzve pa qenë fare në luftë.

No comments:

Post a Comment