Monday, February 23, 2015

Vetëvendosja kritikon Qeverinë për gjendjen e shqiptarëve në Serbi

Vetëvendosja kritikon Qeverinë për gjendjen e shqiptarëve në SerbiPërfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Visar Ymeri, Ismajl Kurteshi, Hydajet Hyseni dhe Belgzim Kamberi, pritën të hënën në takim deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë nga Lugina e Preshevës, Riza Halimin dhe Shaip Kamberin.

Në këtë takim u diskutua për pozitën e rëndë politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe rolin të cilin duhet ta kenë Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në përmirësimin e pozitës dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje.
Halimi dhe Kamberi i njoftuan përfaqësuesit e Lëvizjes për problemet e vazhdueshme me të cilat ballafaqohen shqiptarët atje që prej diplomave të fakulteteve të cilat nuk u pranohen nga Serbia e deri te mungesa absolute e përfaqësimit proporcional në gjyqësi dhe polici.
“Presheva si komunë me shumicë dërmuese të popullsisë shqiptare nuk ka fare gjykatë themelore, edhe pse një të tillë e ka pasur më herët, ndërkohë që prokuroria për tërë rajonin gjendet në Vranjë. Në kuadër të Gjykatës ka12 gjykatës prej të cilëve vetëm tre janë shqiptarë, ndërsa 9 janë serbë. Dy vendet e lira, të përcaktuara për gjykatës shqiptarë, për gati dy vite, nuk janë plotësuar”, thuhet në një komunikatë për media të Vetëvendosjes.
“Kjo është në shpërputhje të plotë me koncesionet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës po i bën në këtë fushë, sikur në fushat tjera, ndaj Serbisë. Asnjëherë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ngritur në Bruksel shtypjen dhe diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, theksohet më tej në komunikatë.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do të mbetet e përkushtuar që t’i ndihmojë përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në kërkesat e tyre politike, si dhe të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria e Republikës së Kosovës për angazhimin e tyre institucional në të mirë të shqiptarëve atje.

No comments:

Post a Comment