Me rastin e shënimit të njëvjetorit të Nismës për Kosovën, njëri nga themeluesit e saj, Jakup Krasniqi, është shprehur i kënaqur me të arriturat e deritanishme të këtij subjekti.
Nisma për Kosovën sot (e premte) do të shënojë njëvjetorin e themelimit. Me këtë rast, njëri nga themeluesit e saj, Jakup Krasniqi, ka thënë se Nisma do ta vazhdojë konsolidimin e saj si parti politike, me kauzën për shtet të së drejtës, të dijes, të zhvillimit dhe për shtet social. Nisma për Kosovën këtë vit do të kthehet në një parti politike të mirëfilltë.
Krasniqi ka thënë se për ndryshimin e emrit do të vendosë Kuvendi i Nismës, i cili duhet të mbahet gjatë këtij viti. “Sigurisht se edhe emri është i rëndësishëm, por më e rëndësishëm është fryma e re politike, profilizimi politik dhe solidariteti qytetar. Kauzë e Nismës për Kosovën do të jetë shteti i së drejtës, shteti i dijes, shteti i zhvillimit dhe shteti social. Ndërkaq, për ndryshimin e emirit do të vendosë Kuvendi i Nismës, i cili duhet të mbahet gjatë këtij viti. E rëndësishme është se Nisma për Kosovën do të sjellë një filozofi të re politike në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi për gazetën “Epoka e re”.
Pavarësisht klimës jo të mirë politike dhe vështirësive gjatë rrugëtimit të saj, Krasniqi është shprehur i kënaqur me funksionimin e partisë, duke thënë se Nisma për Kosovën ka arritur të konsolidohet fuqishëm në gjithë territorin e vendit, duke shënuar rezultat pozitiv në zgjedhjet e fundit nacionale. “Nisma për Kosovën ka filluar si iniciativë qytetare në një ambient politik klientelist, ku ende nuk ka rregulla të qarta të ‘lojës’ për një garë politike fer dhe, veç kësaj, nuk ka ndonjë parimësi politike. Kemi hyrë në një garë politike, në një terren dhe ambient të vështirë politik. Kur i kemi parasysh vështirësitë e përmendura dhe ato që nuk është lehtë të thuhen, ne jemi shumë të kënaqur me suksesin e arritur në zgjedhje”, ka vlerësuar Krasniqi.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se përkushtimi në rrugëtimin e Nismës do të jetë i parezervë dhe i pakompromis. “E ardhmja e Nismës për Kosovën varet nga zhvillimi i demokracisë në Kosovë dhe nga vullneti politik i qytetarëve tanë për ndryshime. Përkushtimi ynë në rrugëtimin e Nismës do të jetë i parezervë dhe i pakompromis”, është shprehur Krasniqi.
No comments:
Post a Comment