Në kuadër të vizitës në Kosovë, kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, ka takuar sot edhe përfaqësues të opozitës në Kuvend, Albin Kurtin-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputeten Donika Kadaj-Bujupi - kryetare e Grupit Parlamentar të AAK-së .
Në takimin, i cili është mbajtur në zyrat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kreun e legjislativit suedez e kanë shoqëruar deputetët në Parlamentin e Suedisë, Adnan Dibrani dhe Andreas Norlén, si dhe ambasadori suedez në Maqedoni Mats Staffansson e ai në Kosovë, Henrik Nilsen, njofton Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës.
Kurti e njoftoi kreun e Parlamentit të Suedisë për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për gjendjen socio-ekonomike dhe për çështjen e emigrimit të qindra-mijëra qytetarëve të Kosovës.
“Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë, papunësia gjithnjë në rritje dhe Mitrovica përherë e ndarë po e testojnë mbijetesën e shtetit të Kosovës”, tha Kurti.
Ndërsa, deputetja Donika Kadaj-Bujupi, theksoi që pakënaqësia në Kosovë është akumuluar me vite për shkak të padrejtësive të shumta dhe mungesës së zhvillimit.
“Kur kësaj pakënaqësie iu shtua edhe zhgënjimi i madh për faktin që Mustafa iu bashkua Thaçit, rezultoi ikja masive e qytetarëve”, shtoi ajo.
Në këtë takim është diskutuar edhe për shumë çështje të tjera, si: EULEX-in, korrupsionin, Gjykatën Speciale, bisedimet me Serbinë, ndikimet ndërkombëtare në politikën kosovare dhe çështje të tjera.
No comments:
Post a Comment