Trajneri i Chelseat, Jose Mourinho, ka insistuar se është e kotë të apelojë për kartonin e kuq që e mori sot Nemanja Matic në barazimin 1-1 kundër Burnleyt.
Mesfushori serb u përjashtua nga loja direkt me karton të kuq pasi u kacafyt me Ashley Barnes për një ndërhyrje të ashpër që ky i fundit ia kishte bërë më herët.
Pas ndeshjes, kur Mourinho u pyet për kartonin e kuq të Maticit, ai tha: “Mos më bëni të qeshem, sepse nuk jam në disponim për të qeshur. A keni dëgjuar ndonjëherë se Chelsea ka fituar ndonjë apel? Mua nuk më kujtohet”, tha fillimisht The Special One.
Menaxheri i Chelseat vazhdoi që të krahasonte ndërhyrjen e Barnes me atë të Diego Costas në Emre Canin e Liverpoolit, i cili pastaj u dënua me tre ndeshje moslojë.
“Disa javë më parë kur unë isha në dhomën e konferencave pas ndeshjes me Liverpoolin në Capital One Cup, e dija sigurt se çfarë po flitej në televizion në ato momente. Titujt që thoshin ‘Diego bën krim’. Krahasoni ‘Krimin e Diegos’ me atë se çfarë ndodhi sot”.
“Kjo ndeshje i pati katër momente. Minuta e 30-të, minuta e 33-të, minuta e 43-të dhe minuta e 69-të. Kjo është storia e kësaj ndeshjeje. Unë nuk mund të komentoj mbi këtë storie sepse ju e dini sa e vështirë është për mua që të mos e them të vërtetën. Po e bëj më të lehtë për ju, shkoni në shtëpi dhe shikoni këto momente, atëherë do ta kuptoni se çfarë mendoj unë për këtë ndeshje”, potencoi portugezi.
Mourinho e citoi ndërhyrjen e Barnes në pjesën e parë si pikën kthyese të takimit, duke thënë se sulmuesi i Burnleyt është dashur të përjashtohet për ndërhyrjen që i kishte bërë Branislav Ivanovicit.
“Po e përsëris; ajo ishte minuta e 69-të. Minuta e 69-të ka një lidhje të madhe me minutën e 30-të. Lojtari, nëse mund ta quaj lojtar, i cili ishte i përfshirë në minutën e 69-të, ishte i përfshirë edhe në minutën e 30-të. Normalisht, në minutën e 31-të ai është dashur të jetë duke bërë dush. Nuk do të ekzistonte momenti i minutës 69-të, nëse personi që udhëheq do ta trajtonte në mënyrën e duhur rastin e minutës së 30-të”, ka thënë për fund Mourinho.
No comments:
Post a Comment