Thursday, February 26, 2015

Nga 38 pyetje, vetëm nëntë përgjigje!

Nga 38 pyetje, vetëm nëntë përgjigje!


Nga 38 pyetje që patën deputetët e Kuvendit të Kosovës, vetëm nëntë prej tyre arritën të merrnin përgjigjet nga kabineti qeveritar.

Një pyetje e cila nxiti debat në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës ishte pyetja e deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, drejtuar kryeministrit Isa Mustafa, lidhur me minierën e Drazhnjes, duke kërkuar nga kryeministri t’i përgjigjet se kur do ta ndërpresin masakrën që po ndodh aty nga, siç tha ajo, njerëzit e LDK-së.
“Kam një dokument, fotografi, e cila flet për minierën e Drazhnjes e cila shfrytëzohet nga zyrtarë të lartë të partisë së kryeministrit tash e 15 vjet. Kjo minierë është një pronë e Trepçës, është në pronësi të Trepçës e është shkatërruar komplet duke abuzuar skajshmërish me të. Pyetja për kryeministrin Mustafa është: kur do ta ndërpresë këtë masakër që po bëhet nga njerëzit e tij? Kjo minierë ka vlerë miliarda euro dhe që 15 vjet shfrytëzohet në baza barbare duke e shkatërruar edhe mjedisin”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Pas akuzës së saj, u paraqitë me replikë Ismet Beqiri.
“Jo me shpifë zonja Kadaj! Asnjë argument nuk e ke për atë që the. Mos ta harrojmë se qe 15 vite LDK nuk e ka udhëhequr vendin. Komisioni për Miniera dhe Minerale lëshon licenca, jep leje për hulumtime, e jo Qeveria e Kosovës. Urdhëroni hulumtoni e merrni të dhëna””, ka thënë Beqiri.
Kadaj-Bujupi tha ajo se ka fakte për këto që flet.
“Nuk është shpifje, por është e vërtetë. Pyeteni kolegun e tuaj Nuredin Ibishi, se ai i ka krejt informatat në detaje”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Pasi i është lakuar emri, foli edhe deputeti Ibishi i cili tha se nëse deputetja Kadaj-Bujupi ka ndonjë gjë që do ta sqarojë me të, le t’i drejtohet personalisht atij.
“Këtë e llogarisë shpifje dhe shtrembërim të fakteve”, ka thënë Ibishi.
Njëra ndër pyetjet e deputetëve ishte ajo e deputetit Bekim Haxhiu, i cili pyeti për atë se çfarë plani ka Ministria e Arsimit lidhur me peshën e rëndë që bartin nxënësit në ciklin e ultë. Në përgjigjen e tij, ministri Arsim Bajrami tha se pritet të merren një mori hapash dhe udhëzimesh administrative lidhur me shkarkimin e nxënëseve nga pesha e rëndë e librave që bartin në shkollë. Ai tha se është duke u hartuar udhëzimi administrativë që obligon të gjitha shkollat e reja që të pajisen me mjete të nevojshme nëpër klasa, që shërbejnë për mbajtjen e çantave dhe se kjo do të jetë obligative për të gjitha shkollat në vend. Bajrami tha se pritet edhe funksionalizimi i arsimit elektronik.
“Kështu, disa libra do të mund t’i kenë në formën elektronike, sidomos ato që kanë të bëjnë me kurse të matematikës apo me kurse të gjuhës shqipe. Ne jemi duke prodhuar edhe aplikacionet elektronike që këto të aplikohen drejtpërdrejtë në shkolla. Ne jemi në vlerësim të kurrikulës dhe së shpejti do të kemi vlerësimin ndërkombëtar se sa janë të ngarkuara me teori plan-programet tona”, ka thënë Bajrami.
Shumica nga pyetjet e drejtuara ndaj kryeministrit Mustafa mbetën pa përgjigje, meqë i pari i Qeverisë nuk ishte prezentm ashtu sikurse pjesa dërmuese e kabinetit qeveritar. Pikërisht për këtë mungesë të tyre u deklarua deputeti i Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili tha se rreth 80 për qind e pyetjeve mbesin pa përgjigje.
“Vetëm çdo i pesti deputet merr përgjigje, qoftë nga ministrat apo kryeministri. Kjo qeveri po e vazhdon avazin e vjetër: premtimet e bukura, e papërgjegjshme sa i përket llogaridhënies”, ka thënë Konjufca. 

No comments:

Post a Comment