Wednesday, February 25, 2015

“Ta largojmë Qeverinë me demonstrata” – Intervistë e Albin Kurtit për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau”

Kurti-page-001

Intervista e Albin Kurtit për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau”
Politikani Albin Kurti kritikon bashkësinë ndërkombëtare
Konsiderohet si Enfant terrible i politikës kosovare. Por me secilën krizë të re, lideri i opozitës Albin Kurti me partinë e tij “VETËVENDOSJE!”, konsiderohen çdo herë e më shumë si alternativë qeverisëse. Luftën e vitit 1999, drejtuesi i studentëve të atëhershëm e kaloi në burgjet e Serbisë, dhe u lirua pas dy viteve e gjysmë. Por, edhe administratorët ndërkombëtarë e burgosën gjysmë viti pas një demonstrate kundër UNMIK-ut, e cila eskaloi. Kurti, i cili e konsideron veten si pjesë e një të “majte paneuropiane”, kritikon bashkësinë ndërkombëtare. Por largimin e tyre nuk e do.
Z.Kurti, nga çka po vjen kjo valë e papritur e ikjeve këto javët e fundit?
Kurti: Është grumbulluar një pakënaqësi e madhe – papunësia, padrejtësia sociale. Arsyet për këto nuk gjenden në vitet 2014 dhe 2015.
Por kjo nuk e shpjegon këtë ngutësi.
Ka kohë që shumë njerëz janë duke emigruar – në mënyrë ilegale apo nëpërmjet bashkimit familjar. Shumë së paku kanë tentuar.
Nga po vjen ky mjerim? Çfarë ka shkuar gabimisht?
Për këtë gjendje nuk janë fajtore as historia, as kultura e as mungesa e resurseve. Problem qëndron tek modeli ekonomik, neoliberalizmi. Kjo nënkupton: Privatizim dhe investim në infrastrukturë, por i cili u kufizua vetëm në ndërtimin e rrugëve.
A ekziston ndonjë arsye të investohet në këtë shtet të vogël, pa dalje në det dhe me infrastrukturë të dobët rrugore?
Së pari duhet të investojmë paratë tona. 600 milionë euro nga fondi i privatizimit gjenden jashtë Kosovës, shto këtu edhe 800 milionë nga fondi pensional, dhe 2 miliardë nga bankat komerciale. Një miliard hyn çdo vit në Kosovë nga mërgata, që është shumë në krahasim me buxhetin shtetëror prej 1,6 miliardësh.
Para të cilat këtu nevojiten.
Po, por që nuk bëhen faktor ekonomik. Vetëm sa për të mirëmbajtur paqen sociale.
A do kishit dëshirë t’i ndalnit njerëzit që po ikin?
Unë them: Hipni në autobus dhe ejani në Prishtinë për ta larguar Qeverinë me demonstrata.
A duhet megjithatë të bëhet liberalizimi i vizave?
Po, nëse ke mundësinë të ikësh, e bën këtë më pak. Edhe kush dëshiron të ikë ilegalisht, tashmë ka planifikuar ta thej ligjin. Duhet pasur parasysh që është më shumë ikje, jo emigrim.
Cili është dallimi?
Tek ikja, arsyeja qëndron në shtetin amë; te emigracioni qëndron tek shteti të cilit ia mësyn. Nuk jam dakord me ikjet, por unë i kuptoj ata plotësisht.
Shumë po mendojnë që ikjet masive kanë lidhje me koalicionin e madh që është bërë në fillim të dhjetorit. A mendoni edhe ju kështu?
Po. Njerëzit kanë shpresuar se PDK më në fund do të shkojë në opozitë.
Ju si Lëvizje keni dashur të hyni në koalicion, nëpërmjet të cilit një nga drejtuesit e UÇK-së, Ramush Haradinaj, do bëhej kryeministër. A do kishte qenë kjo më mirë?
Ky koalicion nuk ka qenë as për së afërmi perfekt. Por qeveria e vjetër ka qenë perfekt e gabuar. Njerëzit kishin shpresa, por aspak iluzione.
Thuhet se Kosova, pas Namibisë, ka marrë ndihmat më të mëdha për kokë banori. Ku kanë mbetur të gjitha këto?
Rreth 80% të këtyre ndihmave kthehen në njërën ose tjetrën mënyrë prapë në vendet nga vijnë – nëpërmjet seminareve e trajnimeve, dhe në stafin e EULEX-it me pagat e tyre enorme. Bashkësia ndërkombëtare ka etabluar një mbrojtje të fuqisë së vet, e cila nuk e mbron popullin nga establishment, por establishmentin nga populli. Paradigma e tyre nuk është zhvillimi, por stabiliteti.
Gjë e cila jo domosdo është e keqe.
Por jo prioritet! Unë nuk jetoj që të jem stabil, por që të zhvillohem.
Si mund të dilet nga kjo situatë?
Unë nuk besoj se këta e shohin këtë si gabim. Që të bëhet kjo së pari duhet rrëzuar sistemi.
Si po mendoni të rrëzohet?
Kriminaliteti i lartë, pasiguri totale, për shembull sikur bandat që dalin nëpër rrugë. Ka tri mundësi: e para është ekonomi e kushërinjve dhe një thes miell, kjo është rruga e Hashim Thaçit dhe PDK-së; e dyta është islami fundamentalist dhe një thes miell; e treta është lufta civile. 
Shpresoj të ketë rrugë të katërt.
Sigurisht: Qeveria të dëbohet me demonstrata.
E kjo do kishte sukses?
Nuk na duhen fytyra të reja, por një politikë e re. Nuk do të jetë e lehtë. 38 agjensione shtetërore, televizionet, gjyqësia, policia – të gjitha këto janë shtylla të një shteti të kapur.
Mbi çka do ta ndërtojë Kosova zhvillimin e vet? Mbi tregun e brendshëm?
Po, por edhe me eksport. Në rend të parë e mendoj bujqësinë: gjysma e tokës nuk punohet fare. Më pas energjia dhe minierat. Shteti nuk duhet ta drejtojë plotësisht eunominë, por nuk duhet të jetë vetëm spektator i saj. Jam kundër radikalizmit të tregut. Çdo zhvillim bazohet në disa vendime. Shikojini ShBA-të me politikat e tyre për arsimin dhe shkencën.
Kjo do të thotë që tregu kosovar do të duhej të mbrohej nga importet?
Në linjë të parë kjo do të thotë: subvencione agrare. 2% e buxhetit shkojnë për bujqësi. Për arsim shpenzohen në vit 46 milionë. Shpenzimet për shëndetësi janë po ashtu të ulëta. Vetëm shpenzimet vjetore për autostradën drejt Shkupit janë dyfish më të larta. Për gjitha këto ne marrim 9 kilometra autostradë.
15 vitet e fundit bashkësia ndërkombëtare ka këtu fjalën e fundit. A ka qenë kjo kolonializëm?
Kolonializmi të paktën kishte një aspekt pozitiv. Këtu madje mungon edhe besimi se mund të na emancipojnë – të ndërtojnë shkolla për të na civilizuar.
Këtë janë duke u munduar ta bëjnë.
Nuk jam i sigurt për këtë. Misioni i UNMIK-ut dhe EULEX-it mbase kanë këso ide në kokë. Por këtu kemi të bëjmë më shumë me cinizëm sesa më kolonializëm të para njëqind viteve. Ka dy regjistra: Njëri përmban paqe, siguri, stabilitet; dhe tjetri demokraci, shtet të së drejtës dhe zhvillim. Regjistri nr.1 gjithmonë po ka përparësi. Një i dërguar special i mëhershëm pati thënë një herë: Ju nuk e besoni sa njeriu më thërret në telefon, kur unë dua ta arrestoj dikë.
A duhet ndërkombëtarët thjesht të shkojnë?
Jo, ata duhet ta ndërrojnë paradigmën: nga stabiliteti tek zhvillimi. Neve nuk na duhen policët dhe prokurorët. Neve na duhen ekspertë financiar, bujqësor dhe ekonomik. Veç EULEX-i këto 7 vitet e fundit i ka gllabëruar dy miliardë. Sa më mirë do të ishte po të kishin shkuar këto para për arsim.
Intervista është realizuar nga Norbert Mappes-Niedleck.

No comments:

Post a Comment