Wednesday, February 25, 2015

AVUK: Mielli është në rregull, problemi mund të jetë në Doganë



Nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK) thonë se gruri i importuar nga Serbia është në rregull, sipas analizave të Institutit të Bujqësisë së Kosovës, por është diskutuar mundësia që në Doganë të jetë prezantuar si grurë për kafshë për shkak të tarifave më të ulëta.
Importi i miellit nga Serbia dhe shtetet e tjera të regjionit dhe kualiteti për grurin e importuar ishte tema e diskutimit në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, para anëtarëve të cilit ka raportuar Naser Krasniqi, zëvendësi i drejtorit ekzekutiv të AVUK, Valdet Gjinovci.
Izet Ymeri po ashtu nga AVUK nuk e përjashton mundësinë që në doganë gruri të jetë deklaruar të jetë ushqim i kafshëve për shkak të tarifës më të ulët doganore por që një gjë e tillë do t’i raportohet në mënyrë të shkruar pasi që sqarohet edhe Doganat e Kosovës. Përveç kësaj aty është vendosur që të bëhen analiza edhe në një institut ndërkombëtar për të parë cilësinë e grurit.
“Ekziston mundësia që në doganë mundet me dalë ma lirë...Nuk është çështje e jona me tregu çka është bërë në doganë edhe na nuk i kemi ato parametra”, ka thënë Ymeri.
Anëtari i Komisionit, SalI Salihu, teksa ka këmbëngulur nëse këtu qëndron problemi, ka thënë se gruri i Serbisë sa i përket cilësisë është më i dobëti në rajon, dhe se shteti fqinjë është duke punuar vetëm në rendiment duke shtuar se nëse nuk importohet miell dhe grurë nga Serbia mund të investohet në të njëjtën fushë rreth 50 milionë euro.
“Prandaj po them që nëse blejmë grurë vazhdimisht prej Serbisë ka 15 mijë tonë i blejmë çdo vjet për t’i plotësuar nevojat për ushqim, i blejmë ka 30 mijë ton farë, me i llogaritë 40 centë çmimi i farës ne 12 milionë në vjet ia çojmë për farë Serbisë. 150 mijë tonë grurë merkantil për konsum me i llogaritë ka 20 centë, diku rreth 40 milionë euro ia çojmë Serbisë. Dhe ne në vend se ta rrisim prodhimin vendor, t’i plotësojmë nevojat dhe këto 40 milionë mos me rrjedhë jashtë vendit ne pe mbysim prodhimin vendor me këtë far monopoli që po krijohet. Monopol po ka në të gjitha sektorët po ky te gruri është shumë i vërejtshëm se çdo shpi konsumon bukë", thotë Salihu.
Se analizat e IBK e paraqesin grurin të në gjendje të rregullt e thotë Naser Krasniqi nga AVUK duke shtuar se çdo maunë është e inspektuar nga inspektorët dhe çdo e gjashta ka shkuar në analiza laboratorike në Institutin Bujqësor të Pejës.
"Asnjëherë nuk kemi ndonjë certifikatë, nuk është prezantu si grurë për ushqim për kafshë. Ushqimi do të thotë fitocertifikatat që prezantohen janë si grurë merkantil, për ushqim për njerëz. Ne nuk kemi ndonjë fitocertifikatë që ka ardhur për ushqim për kafshë”, deklaron Naser Krasniqi.
Anëtarët e Komisionit kritikuan përfaqësuesit e AVUK-ut se kishin sjell para tyre një raport të mangët dhe që nuk ishte i detajuar, përcjell KP. 

No comments:

Post a Comment