Sunday, February 22, 2015

Kurti: Mustafa e Thaçi janë zëvendësa të njëri-tjetrit..

Kurti: Mustafa e Thaçi janë zëvendësa të njëri-tjetrit


Lideri i Lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se establishmenti politik është i tmerruar për krimet e korrupsionit dhe akuzat në raportin e Dick Marty-t. “Nëse nuk sillen mirë ata jo vetëm që do të humbasin pushtetin, por edhe lirinë”, thotë ai

Kurti thotë se ka frikë se qeveria e re nuk është as qeveri e as e re. Kjo sipas tij, pasi ka aktorë të vjetër me mentalitete të vjetra dhe me synime të vjetra.
“Nuk është as qeveri sepse më saktë është një administratë që i shërben jetësimit të dialogut të Brukselit, në njërin krah, dhe, në krahun tjetër, është një administratë e dy ndërmarrjeve të përbashkëta. Njëra ndërmarrje është ‘Bechtel Enka’, e cila na sjell një asfalt të shtrenjtë e të lëmuar. Dhe ndërmarrja tjetër është ‘Limak-Çalik’, e cila privatizoi shpërndarjen dhe furnizimin e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, por që në të njëjtën kohë mori dhe Aeroportin e Prishtinës. Pra, as ekonomikisht as politikisht nuk kemi diçka të re. Ky entitet nuk meriton të quhet qeveri”, thotë Kurti në një intervistë për emisionin “Bugajski Hour” në Albanian Screen.
Kurti duke folur pëe dialogun me Serbinë tha se në Kosovë po bëhen një mori ndryshimesh për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, “a thua se problemi është Kosova. Kur ne e dimë më së miri se problemi është Serbia”.
“Pra, gjykoj se në Bruksel nuk kemi një dialog të drejtë, meqenëse, krahas gjithçkaje sa thashë, BE-ja është në konflikt interesi duke ndërmjetësuar dialogun. Pasi ata kanë pushtet ekzekutiv mbi ne. Ata nuk na njohin ne. Ata nuk kanë asnjë pushtet ekzekutiv mbi Beogradin. Dhe ata e njohin Serbinë dhe ata ndërmjetësojnë. E keni vërejtur se kur Mustafa ishte atje, mbas tij nuk kishte asnjë simbol të shtetit të Kosovës. Kishte simbole të BE-së. Ndërkohë që pas Vuçiçit ishte flamuri i Serbisë. Pra, mendoj se ka shumë elementë asimetrikë në këtë dialog, i cili ka për të përfunduar me rezultate të mundimshme për Kosovën”, ka thënë Kurti në intervistën që e transmeton Politiko.net. 

No comments:

Post a Comment