Punëtorëve të “Fabrikës së Tubave” u është thënë se çështja e tyre do të trajtohet dhe do të zgjidhet me shpejtësi. Po ua kujtoj, më 21 shkurt, të vitit 2013, me inicimin e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës e pat votuar një rezolutë në të cilën kërkohej të votohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për sa i përket kësaj çështje, vendim ky i Gjykatës Kushtetuese që është nxjerr në vitin 2009. Kjo ende nuk ka ndodhur. Pra, disa herë kemi kërkuar përgjegjësi nga qeverisja e kaluar se përse nuk po zbatohet kjo, madje kemi mbërritur deri tek ajo pikë ku vetë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës po ashtu inicionte rezoluta në Kuvendin e Kosovës për ta trajtuar këtë çështje dhe asnjëherë nuk është trajtuar.
Gjatë fushatës parazgjedhore, të gjitha partitë politike u kanë dhënë premtime këtyre punëtorëve se do ta zgjidhin çështjen e tyre, dhe sipas punëtorëve, tash po flas natyrisht se nuk kam qenë aty, por sipas punëtorëve në takimin që e kanë pasur me Isa Mustafën, atëbotë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe tash edhe Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Mustafa u kishte thënë që : (i ndalet mikrofoni Visar Ymerit).. "Në muajin e parë të qeverisë sime merreni kryetarin Sfarqa dhe këtë punë kam me e krye." Kështu iu kishte thënë punëtorëve, do të thotë u bënë tre muaj të qeverisjes Mustafa dhe kjo punë nuk është kryer.
E njëjta gjë po ndodhë me trajtimin që po ua bën AKP-ja punëtorëve të Grandit, të cilët herë po kërcënohen se do të hiqen nga aty me polici dhe herë po kërcënohen se do të përjashtohen nga puna nëse vazhdojnë të mbesin anëtarë të sindikatës së Grandit, siç edhe është thënë ditëve të fundit.
Këto manipulime që po i bënë AKP-ja, më saktësisht Autoriteti për Likuidim, me këta punëtorë, duhet të ndërpritet dhe punëtorëve askush, asnjë institucion nuk ka të drejtë, në Kosovë, t'iu thotë që nuk kanë të drejtë të organizohen në sindikata, sepse organizimi sindikal të paktën është i mbrojtur me ligj në Republikën e Kosovës dhe ky ligj ua mundëson edhe garanton atyre punëtorëve lirinë që ata të organizohen në sindikata dhe të përbashkuar t'i paraqesin kërkesat e tyre dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
No comments:
Post a Comment