Sunday, February 22, 2015

Krushianët duan drejtësi, duke paditur Serbinë

Krushianët duan drejtësi, duke paditur Serbinë

Kur marsi fillon të afrohet, banorëve të Krushës së Madhe të Komunës së Rahovecit ju përfytyrohen ngjarjet e rënda të fillim-pranverës së vitit 1999-të. Forcat serbe vranë, dogjën dhe masakruan 241 krushianë, bashkë me mysafirët që ndodheshin në fshat.

Por, nga ajo kohë ende nuk e mori askush përsipër atë masakër. Përveç kujtimeve që ruajnë dëshmitarët e gjallë dhe vajeve të nënave dhe motrave mbi varre çdo 26 mars, ende nuk dihet gjë fatin edhe të shumë të zhdukurve, që arrijnë shifrën 63 vetëm nga ky fshat.
Plaku Bajram Nalli ka parë tmerrin me sytë e tij. Ai vazhdon të tregojë për të disatën herë ngjarjen e 26 marsit, ditës që ngeli pa dy djemtë, vëllain dhe 16-të kushërinj, përcjell televizioni publik.
Avdi Durakun, një tjetër banor i këtij fshati, ende e mundon ajo që pa atë ditë në një shtëpi të mbuluar nga flakët ku brenda u dogjën shumë njerëz.
Por, mosndëshkimi i këtyre krimeve ka shtyrë banorët e Krushës së Madhe që të fillojnë të mbledhin fakte dhe të ngrenë padi kundër shtetit serb, për vrasjet, lëndimet grabitjet dhe shkatërrimin e pronave të tyre.
“Tani kanë kaluar 16-të vite dhe vështirësitë janë të mëdha. Nëse ne nuk nxitojmë të ngremë padi, na vdesin edhe dëshmitarët”, thotë Sejfullah Sejfullahu, koordinator i Këshillit organizator për padinë.
Lufta në Krushë të Madhe la pasoja të rënda. Shumë shtëpi mbetën pa asnjë mashkull. Barra për mbajtjen e familjeve ra mbi 140 gra të veja me 502 fëmijë bonjakë. Tani këta fëmijë janë rritur, por hija e zezë e marsit të 1999-ës i përcjell edhe në punët e ditës.
“Krushjanët kërkojnë mbështetje nga shteti, nga Oda e Avokatëve, profesionistët, pasi nëse kriminelët e këtyre rasteve nuk do të ndëshkohen, termi drejtësi për ta nuk do të ketë më kuptim”, thotë Kadri Dellova nga Krusha e Madhe e Rahovecit.

No comments:

Post a Comment