Dy asamblistë të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe drejtori për Shërbimeve Publike, Ardian Gashi kanë dorëzuar në Policinë e Kosovës kërkesën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Themelore që pezullon vendimin e bordit të drejtorëve të Kompanisë ‘Pastrimi’, për zgjedhjen e Feim Salihut në krye të kësaj ndërmarrje. E njëjta kërkesë ishte dërguar edhe dje, por që nuk ishte pranuar nga Policia.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ardian Gashi tha se nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, atëherë do të thërrasin edhe protestë për ta larguar Feim Salihun nga drejtori i Kompanisë Rajonale “Pastrimi”.
“Dy mënyra janë. Është aparatura ligjore dhe legjislative e shtetit e cila duhet të intervenoj. Nëse ajo nuk intervenon, atëherë normalisht edhe populli do ta thotë fjalën e vet me protesta. Ne nuk kemi mënyra tjera...normalisht siç janë duke vepruar edhe deri tani”, tha Gashi.
Gashi tha se dje është provuar të dërgohet një kërkesë në Polici për ta hequr, siç e ka quajtur ai, uzurpatorin e deritanishëm në ndërmarrjen “Pastrimi” por nuk është pranuar kjo kërkesë nga policia.
Pas dorëzimit të kërkesës, asamblisti i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Genc Sherifi tha se Policia ka pranuar kërkesën e tyre, por mbetet të shihet nëse do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës ose jo, raporton KP.
“Policia e Kosovës sot e pranoj kërkesën e aksionarëve të kuvendit komunal të Prishtinës për zbatimin e vendimit të gjykatës, për të cilën do të na kthejnë një përgjigje”, tha Sherifi.
Edhe zëvendësdrejtori i stacionit policor Jugu, Safet Jashari, tha se kërkesa është pranuar, do të analizohet më pastaj do të jepet një përgjigje.
“Po është pranuar kërkesa, do të analizohet dhe përfaqësuesit që ishin do ta marrin përgjigje në një afat të shkurt besoj”, tha ai.
Bashkë me asamblistin e VV-së, Genc Sherifi dhe Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ardian Gashin, ishte edhe asamblisti i AAK-së, Fadil Gashi si anëtar i Komisionit të aksionarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
No comments:
Post a Comment