Aleksandër Lumezi, edhe pse nga Këshilli Prokurorial i Kosovës mori besimin për të udhëhequr për shtatë vjet organin e akuzës, ende nuk e ka të sigurt dekretimin nga ana e Presidentes së Kosovës në funksionin e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Kosovës.
Burime të afërta me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Kosovës, bëjnë të ditur se disa kandidatë që kanë qenë në garë për këtë post mund t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Ka gjasa që sërish disa kandidatë t’i drejtohen Kushtetueses për Aleksander Lumezin. Vlerësohet shkelje ligjore përzgjedhja e tij nga ana e KPK-së, për faktin se në garë për këtë post kaq të rëndësishëm ka qenë vetëm një kandidatë”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.
Aleksandër Lumezi edhe para disa muajsh ishe përzgjedhur në KPK-ja si kandidat për kryeprokuror të Shtetit, por që pasi që dy kandidatë të tjerë në garë për këtë post iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, procesi u kthye sërish në pikën zero. Kushtetuesja mori vendim që ta shpallë jokushtetues zgjedhjen e Aleksandër Lumezit në krye të organit të akuzës.
Në anën tjetër, nga Presidenca e Kosovës i kanë thënë Gazetës Blic se ende nuk e kanë marrë zyrtarisht emrin e kandidatit të propozuar nga ana e KPK-së për kryeprokuror të shtetit.
Arbër Vllahiu ka thënë se ligji e përcakton se Këshilli Prokurorial i Kosovës i propozon për emërimin presidentes kandidatin për kryeprokuror.
Sipas tij, në momentin kur presidentes i vjen zyrtarisht emri për kryeprokuror nga KPK, atëherë e para e vendit i ka 60 ditë kohë që të dekretoj ose mos e dekretoj atë kandidat.
“Kjo ende nuk ka ndodhur. Ligji gjithashtu e përcakton se presidentja ka 60 ditë për ta shqyrtuar propozimin për emërim. Meqë nuk ka ende një propozim nga KPK, atëherë i mbetet Zyrës së Presidentes që të pres nga organi kompetent të sjellë një propozim të tillë bazuar në ligj dhe në Kushtetutë”, ka thënë Vllahiu për Gazetën Blic.
Para tetë muajsh Aleksandër Lumezi u përzgjodh kryeprokuror i Shtetit, por më pas u rrëzua nëpërmjet një aktgjykimi nga Kushtetuesja.
Prokurori Lumezi ishte i vetmi kandidatë që kishte për tu zgjedhur në pozitën e Kryeprokurorit, pasi pesë të tjerët: Shyqyri Syla, Imer Beka, Metush Biraj, Laura Pula e Agron Galani, janë tërhequr nga gara, të pakënaqur me procesin.
No comments:
Post a Comment