Saturday, February 21, 2015

Protestojnë familjarët e të dënuarve për rastin e Dobrosinit

Protestojnë familjarët e të dënuarve për rastin e DobrosinitPara selisë së EULEX-it kanë protestuar familjarët e 10 të dënuarve me 60 vite burgim në vitin 2013, nën akuzat se kanë sulmuar stacionin e Policisë dhe xhandarmërisë serbe në Dobrosin të Bujanocit.

Familjarët e të dënuarve janë shprehur të indinjuar me mos shqyrtimin e ankesës së bërë nga avokatët mbrojtës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Gjilanit nga trupi gjykues i EULEX-it të datës 16 tetor 2013.
Përfaqësuesi i familjarëve të dhjetë të dënuarve, Dukagjin Rexhaj tha se me këtë protestë po shprehin pakënaqësinë e tyre dhe kundër dënimit që bëri EULEX-i ndaj familjarëve të tyre.
“Ne si familjarë kemi dalë në këtë protestë që është organizuar nga familjarët e të dënuarve nga Gjykata e EULEX-it. Ky gjykim është dhënë me 16 tetor 2013 dhe ankesa e avokatëve është bërë po të njëjtën ditë. Kanë kaluar 16 muaj dhe deri me tani nuk ka ardhur kurrfarë letre apo ndonjë gjë tjetër nga Gjykata e Apelit. Ne kemi vendosur ta bëjmë këtë protestë pasi të gjithë të burgosurit kanë qenë për tetë ditë resht në grevë urie dhe me lutjen tonë ata e kanë ndërprerë grevën dhe kemi vazhduar me protestën”, tha Rexhaj.
Ai thotë se kërkesa e tyre është që të shfuqizohet ky vendim për dënimin e familjarëve të tyre, meqë është bërë nga një proces i montuar i ish-prokurorit të EULEX-it Mauricio Salustro.
“Kërkesat tona ndaj EULEX-it janë që sa më shpejtë Gjykata e Apelit ta shqyrtoj këtë lëndë dhe t’i shpall të pafajshëm sepse ata janë të dënuar nga një proces i montuar nga prokurori i përfolur Mauricio Salustro. Gjithashtu kërkesat tona ishin shumë të qarta, kërkojmë nga Apeli që ta shqyrtoj rastin menjëherë dhe të mos merret më me rastin e tyre”, theksoi Rexhaj.
Sipas Rexhajt, ndikimi i prokurorit Salustro është vërejtur edhe tek kryetari i trupit gjykues, ku me shqiptimin e vendimit, ai jep arsyetim politik e jo ligjor.
Dhjet të dënuarit ishin dënuar kinse në emër të “Lëvizjes së Lirisë”, kanë sulmuar punktin e Policisë dhe xhandarmërisë serbe në Dobrosin të Bujanocit. Të dënuarit janë, Skënder Jashari, Valon Jashari, Gazmend Xhemshiri, Gazmend Lakna, Enver Musolli, Muhamed Aliu, Qëndrim Rexhaj, Skënder Selmani, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani.

No comments:

Post a Comment